Entertainment

A duhet të lejohen nënat surrogate në Shqipëri?

Një debat i madh ka shpërthyer ditët e fundit në rrjete sociale dhe televizione për surrogacinë në Shqipëri. Kjo erdhi pasi në fund të prillit Ministria e Shëndetësisë hodhi konsultim publik një projektligj për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Drafti prej 16 faqesh synon të rregullojë me ligj riprodhimin invitro, ardhjen në jetë të fëmijëve përmes nënave surrogate, krijimin e bankave për ngrirjen e qelizave riprodhuese.

Nëse do të miratohej ky draft, çdo femër dhe mashkull në Shqipëri mbi moshën 18 vjeç mund të bëhej dhurues i qelizave të tij riprodhuese. Sipas nenit 18 të projektligjit dhurimi mund të kryhet deri në 5 herë.

“Mosha e donatorëve femra për dhurimin e vezëve fillon pas moshës 18 vjeç dhe përfundon në moshën 35 vjeç. Për donatoret meshkuj, dhurimi i spermatozoideve fillon nga mosha 18 vjeç dhe përfundon në moshën 45 vjeç. Dhurimi do të jetë anonim dhe duhet të garantojë konfidencialitetin e të dhënave të identitetit të dhuruesve nga bankat e qelizave riprodhuese, si dhe nga regjistrat e dhuruesve. Dhurimi do të jetë i revokueshëm vetëm kur dhuruesi të kërkojë qelizat riprodhuese të dhuruara, për ti përdorur për veten e tij, gjithmonë nëse në datën e kërkesës ato do të jenë të disponueshme. “Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile ose ta ketë të pamundur të ketë një shtatzëni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj. Gruaja zëvendësuese (surrogate) nuk duhet të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë. Ajo e duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë. Procedurat dhe kushtet që duhen plotësuar për një shtatzëni surrogate, përcaktohen në protokollin përkatës të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.”, thuhet në projektligjin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por ky projektligj ka ngjallur debate në rrjet pasi shumë janë kundër surrogacisë dhe disa janë pro. Disa mendojnë që kjo praktikë nuk duhet të futet në Shqipëri sepse gratë shqiptare janë riprodhuese dhe nuk kanë pse të kenë një fëmijë me nënë zëvendësuese. Edhe pse sipas projektligjit gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile ose ta ketë të pamundur të ketë një shtatzëni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj. Kjo është dhe arsyeja pse të tjerë e mbështesin këtë projektligj sepse do ishte një mundësi që edhe ato të bëhen nëna.

Ju si mendoni duhet të miratohet surrogacia në Shqipëri?/doramagazine

  • |

Related Articles

Back to top button