Entertainment

Nga Tirana në Kiev: Gruaja shqiptare, që i pret rreziqet me buzëqeshje 

Dea Haxhi, gjatë udhëtimit me tren në Ukrainë, nga Lvivi në Kiev. Foto:Dea Haxhi (Courtesy Photo)

Nga ballkoni i apartamentit të Dea Haxhit në Kiev të Ukrainës shihen zogj duke fluturuar në qiellin e kaltër, vende-vende të mbuluar me re, drunj pa gjethe e antena satelitore mbi ndërtesa.

E gjithë kjo pamje ia kujton Deas – nga Tirana e Shqipërisë – dimrat në Prishtinë, ku kishte punuar gjatë viteve 2014-2016. Edhe pse sheh ngjashmëri në pamjen e dy kryeqyteteve, përditshmëria e Deas në Kiev është shumë më ndryshe shkaku i luftës në Ukrainë, të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Me një çantë të mbushur me gjëra esenciale në rast të ndonjë sulmi ajror, Dea çdo natë bëhet gati për gjumë, e vetëdijshme se mund ta zgjojnë sirenat e alarmit dhe t’i duhet të zbresë shkallëve të ndërtesës për të shkuar në bodrum.

Por, për Dean, rreziqet e jetesës në Kiev mbeten nën hijen e gjërave pozitive që ajo sheh çdo ditë: forcën e një populli për ta vazhduar jetën.

“Të bën përshtypje që, edhe pse shteti është në luftë, ligjet funksionojnë shumë mirë, trenat janë në kohë dhe njerëzit ambientohen shpejt me ndryshimet”, thotë Dea për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshimet me të cilat Dea është mësuar të jetojë qysh nga shtatori i vitit 2022, përfshijnë jetesën në ndërtesa të pajisura me xhama rezistues ndaj shpërthimeve dhe zgjedhjen nga meny të posaçme për rastet kur restorantet mbeten pa rrymë shkaku i luftës.

Edhe pse Kievi ka qenë shpeshherë cak i sulmeve ajrore nga Rusia, Dea – e cila punon si menaxhere e granteve, duke drejtuar një portofolio prej 15 milionë dollarësh, për organizatën humanitare Care International – nuk pendohet për zgjedhjen e saj.

“Të jem e sinqertë, çdo njeri e ka atë adrenalinën kur gjendet në një situatë të tillë ekstreme. Por, unë e mendoj shpesh që edhe pse ka njëfarë rreziku, probabiliteti që vetë ti të dëmtohesh, është shumë i ulët ”, thotë Dea.

Dea Haxhi, duke pozuar para Katedrales Shën Sofia në Kiev, Ukrainë.

Ajo ndihet e sigurt nga vendndodhja e apartamentit të saj në lagjen diplomatike të Kievit, por edhe nga përvojat e saj paraprake të punës në Afganistan, Bangladesh dhe Irak.

Si e diplomuar e Universitetit Reading në Britani të Madhe në studimet për marrëdhënie ndërkombëtare, me master të fokusuar në të drejtat e njeriut dhe çështjet e sigurisë, karriera e ka përballur me situata që s’do t’i harrojë kurrë.

Shumë prej tyre janë të periudhës nga 23 shtatori i vitit 2022, kur Dea u shpërngul për herë të parë në Ukrainë. Fillimisht, ajo jetonte në Lviv, një qytet pranë kufirit me Poloninë. Dea thotë se lufta ndihej aty më pak sesa në Kiev.

Në ditët e para në Lviv, Dea ishte mahnitur nga bukuria e qytetit me rrugë të shtruara me kalldrëm, ndërtesat që, në shëtitjet e saj, Dea i identifikonte si të stilit italian, armen, austriak, etj. Ajo dëgjonte se si të rinj mblidheshin në rrugë për të kënduar – herë këngë në gjuhën angleze, herë në atë ukrainase.

Hera e parë kur ajo ishte përballur me realitetin e luftës në Ukrainë ndodhi dy muaj pas shpërnguljes atje.

“Pasi kaluam rreth dy orë në strehim, Lvivi humbi energjinë elektrike për shumë orë – më duket që prej orës 6 deri në 12. Ishte errësirë totale, temperaturat jashtë ishin në minus”, kujton Dea.

Edhe pse ishte errësirë, ftohtë dhe nuk punonin as kartelat bankare, Dea dhe koleget e saj nuk u dorëzuan. Ato shkuan në një hotel aty pranë dhe mblodhëm aq para sa kishin për ta festuar një sukses në punë.

Dea thotë se ka qenë e tillë që nga fëmijëria, duke tentuar ta gjejë anën pozitive në çdo gjë që ndodh. E rritur në Shqipërinë e regjimit komunist, ajo tregon se si gjithmonë ka dashur të lexojë gazeta për ta kuptuar se çfarë po ndodhte jashtë Shqipërisë së izoluar.

“Si fëmijë, isha kurioze për çkado që ishte e huaj. Babai im ka udhëtuar shumë dhe edhe gjyshi im e kishte kryer specializimin jashtë Shqipërisë, që nuk ishte e zakonshme për atë kohë. Të dy ata flisnin shumë gjuhë dhe kishim shumë libra. Unë e shikoja hartën e botës për të zbuluar vende dhe ëndërroja se ku do të shkoja”, tregon Dea.

Si folëse e shqipes, anglishtes, frëngjishtes, italishtes, rusishtes dhe spanjishtes, Dea s’e ka pasur problem udhëtimin në botë. Por, për të, udhëtimi s’ka qenë vetëm për qejf. Që prej vitit 2018, ajo ka punuar në vende të ndryshme të botës: në Afganistan, Bangladesh e Irak.

Dea nuk e di se ku do ta çojë e ardhmja, por e di se kudo që të jetë, çfarëdo që të jetë duke bërë, do të ketë të bëjë diçka me njerëzit në nevojë për ndihmë.

“Ajo që ne kërkojmë të realizojmë është të ndryshojmë sisteme, kushte, ligje… Por, në fund të ditës, ajo që e bën interesante është kur ke mundësi për të takuar e për të folur me njerëz”, thotë Dea.

Burimi: Radio Evropa e Lirë

Related Articles

Back to top button